Çështje Administrative
Si mund të veprohet në rast të shkeljes së të drejtave nga veprimi apo mosveprimi i organeve publike?
Në raste te tilla mund të veprohet si më poshtë:
- kryhet një ankim administrativ, i cili përfshin:
- Ankimin administrativ ndaj aktit administrativ ose mosveprimit të organit publik për nxjerrjen e aktit brenda afatit të parashikuar; ose
- Kundërshtimin administrativ ndaj një veprimi tjetër të organit publik;
- kërkohet rishikimi i rastit.
Për të njëjtën çështje, pala nuk mund të ushtrojë për së dyti mjete ligjore administrative.
Ankimi administrativ kundër një akti administrativ
Akti administrativ mund të jetë individual ose kolektiv. Akti administrativ është individual kur një organ publik, në ushtrimin e funksionit të tij publik shpreh vullnetin e tij ndaj një ose më shumë subjekteve të përcaktuara, duke krijuar, ndryshuar ose shuar një marrëdhënie juridike konkrete. Shprehja e vullnetit mund të kryhet në formë të shkruar në letër ose elektronike, verbale, ose çdo formë tjetër të përshtatshme, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligji.
Akti administrativ kolektiv, i drejtohet një grupi subjektesh, anëtarët e të cilit janë të përcaktuar individualisht ose mund të përcaktohen individualisht mbi bazën e karakteristikave të përgjithshme.
Pra, akt administrativ, quhet çdo urdhër, vendim, apo veprim që merret nga autoritetet administrative për rregullimin e një rasti të veçantë ose rasteve të përgjithshme në sferën e të drejtës publike.
Çfarë forme dhe përmbajtjeje duhet të ketë ankimi administrativ?
Ankimi duhet të paraqitet me shkrim dhe duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:
- subjektin që ka paraqitur ankimin;
- organin që do të shqyrtojë ankimin;
- aktin administrativ që kundërshtohet ose aktin administrativ që kërkohet të lëshohet, i cili nuk është nxjerrë;
- objektin dhe shkaqet për të cilat bëhet ankimi.
Emërtimi i dokumentit nuk është i rëndësishëm. Çdo kërkesë drejtuar organit publik vlerësohet si ankim administrativ, edhe nëse nuk mban këtë emër, për aq kohë sa qëllimi i ankimit shprehet qartë në të.
Cilat janë kushtet për pranimin e ankimit administrativ kundër një akti administrativ?
Ankimi kundër aktit administrativ apo mosnxjerrjes së tij është i pranueshëm nëse plotëson të gjitha këto kushte:
- nuk është përjashtuar shprehimisht nga ligji;
- ankuesi pretendon se të drejtat apo interesat e tij të ligjshme cenohen nga veprimi apo mosveprimi i organit publik dhe ky ankim nuk është kryer më parë për të njëjtën çështje;
- është paraqitur brenda afatit;
- plotëson çfarëdo kushti tjetër të parashikuar shprehimisht në ligj.
Brenda cilit afat duhet të paraqitet ankimi administrativ?
Ankimi administrativ duhet të paraqitet brenda 30 ditëve nga data kur ankuesi ka marrë njoftim për nxjerrjen ose refuzimin e nxjerrjes së aktit administrativ.
Në rastin e mosveprimit të organit administrativ, me përjashtim të rasteve kur është i zbatueshëm miratimi në heshtje, ankimi paraqitet jo më pare se 7 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data kur ka përfunduar afati brenda të cilit organi administrativ duhet të vepronte.
Bazuar në:
- Ligjin Nr. 44/2015, datë 30.04.2015, “Kodi i Procedurave Administrative”, i cili hyn në fuqi në maj 2016.
- Ligjin Nr. 49/2012, datë 03.05.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.