Follow us

Si bëhet njohja e amësisë dhe atësisë për fëmijët e lindur jashtë martese?

Çfarë do të kuptojmë me “atësi” dhe “amësi”?

Njëra prej marrëdhënieve juridike familjare që rregullohet nga Kodi i Familjes, është marrëdhënia që krijohet nëpërmjet fëmijës dhe secilit prej prindërve të tij. Marrëdhënia e krijuar mes fëmijës dhe nënës njihet si amësi, ndërsa marrëdhënia e krijuar mes fëmijës dhe babait njihet si atësi.

Si vërtetohen amësia dhe atësia e fëmijës?

Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur nga martesa provohen nga akti i lindjes, i regjistruar në Regjistrin e Gjendjes Civile. Në mungesë të aktit të lindjes ose në qoftë se fëmija është regjistruar me emër të rremë, ose pa treguar emrin e nënës dhe të atit, amësia dhe atësia mund të vërtetohen me vendim gjyqësor. Vendimi i gjykatës që përcakton amësinë ose atësinë, ka efekt që nga lindja e fëmijës. Nuk mund të ngrihet padi për vërtetimin e amësisë ose atësisë për një fëmijë që nuk ka lindur i gjallë.

Kush është nëna e fëmijës së lindur?

Amësia e fëmijës vërtetohet me aktin e lindjes. Ky prezumim se të dhënat që figurojnë në aktin e lindjes janë të vërteta, bazohet në faktin se nëna e fëmijës është gjithmonë gruaja që e ka lindur atë fëmijë.

Kush ka të drejtë të kundërshtojë amësinë?

Të drejtën për të kundërshtuar amësinë e treguar në aktin e lindjes e ka:

  • Gruaja e regjistruar si nëna e fëmijës;
  • Gruaja që kërkon të njihet si nënë;
  • Fëmija kur bëhet madhor.

E drejta e padisë për kundërshtimin e amësisë nuk u kalon trashëgimtarëve por gjykimi i filluar mund të vazhdojë prej tyre. Kjo padi mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të gruas së regjistruar si nënë, kur kjo e fundit ka vdekur. Subjektet që u lind e drejta për të kundërshtuar amësinë mund ta ushtrojnë këtë të drejtë në çdo kohë.

Si bëhet njohja e amësisë kur në aktin e lindjes fëmija është i regjistruar me prindër të panjohur?

Në këtë rast, nëna vetë mund të bëjë njohjen e fëmijës. Amësia mund të njihet edhe nga nëna e mitur.

Njohja bëhet:

  • para nëpunësit të gjendjes civile, ose
  • me testament.

Njohja e bërë nuk mund të tërhiqet mbrapsht, edhe sikur të jetë bërë me testament.

Fëmijët e regjistruar në aktin e lindjes me prindër të panjohur kanë të drejtën të kërkojnë nga gjykata vërtetimin e amësisë.

Si përcaktohet atësia e fëmijës së lindur nga martesa?

Çdo fëmije që lind gjatë martesës prezumohet se ka për atë bashkëshortin e nënës së tij. Prezumimi i atësisë në këtë rast bëhet pasi hamendësohet se është ai që ka shkaktuar shtatzëninë. Regjistrimi në këtë rast në regjistrat e gjendjes civile bëhet duke u shënuar atësia e bashkëshortit.

Ky rregull është i vlefshëm dhe për fëmijët që kanë lindur nga martesa të cilat janë shpallur të pavlefshme.

Fëmija që ka lindur brenda 300 ditëve nga zgjidhja e martesës ose nga shpallja e pavlefshmërisë së martesës prezumohet se ka për baba ish bashkëshortin e nënës.

Dhe në këtë rast fëmija do të quhet i lindur nga martesa, por ky prezumim nuk qëndron nëse fëmija ka lindur qoftë edhe një ditë pas afatit 300 ditësh. Ky afat është konsideruar një afat maksimal pasi shtatzënia normale zgjat 270 ditë (9 muaj).

Kur fëmija ka lindur gjatë vazhdimit të martesës së dytë, edhe brenda 300 ditëve nga zgjidhja e martesës së parë ose nga shpallja e pavlefshmërisë së saj prezumohet se ka për baba bashkëshortin e nënës nga martesa e dytë.

Në këtë rast ligjvënësi, duke pasur gjithmonë prioritet mbrojtjen e interesave të fëmijës, edhe pse fëmija ka lindur brenda afatit 300 ditor, i jep përparësi prezumimit se fëmija ka për baba bashkëshortin e nënës.

Kush mund të kundërshtojë atësinë e prezumuar dhe si?

Atësia e prezumuar mund të kundërshtohet nga:

  • Burri që prezumohet të jetë ati i fëmijës. Padia ngrihet kundër fëmijës, i cili përfaqësohet nga nëna, brenda 1 viti nga marrja dijeni për lindjen e fëmijës.
  • Nëna, e cila brenda 1 viti nga lindja mund të kundërshtojë gjithashtu që të jetë ati i fëmijës së saj, burri që prezumohet të jetë ati i fëmijës. Padia ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të burrit.
  • Fëmija, kur bëhet madhor. Ai mund të kundërshtojë faktin që i ati i tij është bashkëshorti i nënës. Padia për kundërshtimin e atësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të burrit në çdo kohë.

Në cilat raste mund të vërtetohet atësia e fëmijës me vendim gjykate?

Atësia e një fëmije është një fakt që nuk mund të përcaktohet lehtë sepse zënia e fëmijës nuk është një ngjarje që mund të provohet drejtpërdrejt ashtu siç provohet lindja e fëmijës. Atësia e një fëmije lindur nga marrëdhënie jashtë martesore mund të vërtetohet edhe me vendim gjykate kur i ati i fëmijës nuk pranon vullnetarisht ta bëjë njohjen. Ky vërtetim atësie është i mundshëm në rast se provohet se në kohën e zënies së fëmijës ai:

  • bashkëjetonte me nënën e fëmijës;
  • ka kryer marëdhënie seksuale me apo pa dhunë me nënën e fëmijës;
  • i ka premtuar martesë nënës së fëmijës;
  • nga një gjykim penal apo civil rezulton në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi si i ati i fëmijës;
  • kur dihet publikisht se ai e ka njohur fëmijën si të tijin.

Kush mund ta kërkojë vërtetimin e atësisë së fëmijës me vendim gjykate?

E drejta për të ngritur padinë e vërtetimit të atësisë së një fëmije të lindur jashtë martese i njihet nënës brenda 3 viteve nga lindja e fëmijës, edhe kur ajo është e mitur pa pasur nevojë për të marrë pëlqimin e prindërve apo të kujdestarit të saj sepse kjo padi është me karakter vetjak.

Të drejtën e ngritjes së padisë për vërtetimin e atësisë Kodi i Familjes ia ka lejuar dhe fëmijës madhor. Kjo padi mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të atij që kërkohet të vërtetohet se ishte ati i fëmijës.

Si bëhet njohja e amësisë dhe atësisë për fëmijët e lindur jashtë martese?

Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur jashtë martese mund të bëhet në dy mënyra:

  • Me anë të njohjes vullnetare
  • Me anë të një vendimi gjykate

Njohja e amësisë dhe atësisë sipas mënyrave të sipërpërmendura krijon të drejta dhe detyrime të njëjta sikur të ketë lindur nga martesa, që nga momenti i lindjes së fëmijës.

Fëmija i lindur jashtë martese, merr mbiemrin e prindit, amësia ose atësia e të cilit është njohur më përpara. Në rastin kur amësia dhe atësia njihen në të njëjtën kohë, prindërit vendosin me marrëveshje, se cilin mbiemër do të mbajë fëmija. Në rast mosmarrëveshje midis tyre, fëmijës i vendoset mbiemri i të atit.

Kush mund të kundërshtojë njohjen e amësisë dhe atësisë për fëmijët e lindur jashtë martese?

Njohja mund të kundërshtohet nga të gjithë personat që kanë një interes të ligjshëm dhe kanë dijeni se njohja e bërë është e pavërtetë. Kundërshtimin mund ta bëjë dhe personi që ka bërë njohjen, e ëma apo i ati, kur njohja është bërë në kushtet e mashtrimit ose të kanosjes. Të drejtën e kundërshtimit e ka dhe prokurori, në rast se, nga të dhënat që figurojnë në aktet e gjendjes civile, rezulton pavërtetësia e amësisë dhe e atësisë së deklaruar.

Bazuar në:

  • Ligjin Nr. 9062, datë 08.05.2003, “Kodi i Familjes dhe legjislacioni për birësimet i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
  • Ligjin Nr. 10129, datë 11.05.2009, “ Për Gjendjen Civile”, i ndryshuar.

Kujdes!

Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Për më shumë informacion na kontaktoni!