Follow us

N J O F T I M – V E N D I M N J Ë S U E S

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, në datën 22.05.2024,mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen penale me nr. 52105-00631-00-2019 regjistri, me kërkues: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, I gjykuar: R. M. (i mitur në kohën e kryerjes së veprës), Akuzuar: Për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”. Gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi,kolegji vlerësoi se në rekursin e depozituar nga i gjykuari dhe mbrojtësi, ngrihen çështje ligjore me rëndësi për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore, në vështrim të kërkesave të neni 432 pika ‘1’, shkronja ‘a’ e KPP. Gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi, Kolegji vlerësoi të njësojë praktikën gjyqësore pasi evidentoi praktika të ndryshme të Kolegjit Penal në drejtim të zbatimit të nenit 403/2 të KPP, për veprat penale që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm, kur të akuzuar janë persona ndaj të cilëve ligji ndalon dhënien e një dënimi të tillë.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 438 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi, kalimin e çështjes penale me nr.52105-00631-00-2019, datë regjistrimi 21.06.2019, për shqyrtim në seancë gjyqësore me qëllim njësimin dhe zvillimin e praktikës gjyqësore në lidhje me çështjet:

1. A zbatohet neni 403, pika 2 i Kodit të Procedurës Penale për personat e akuzuar për një krim që Kodi Penal parashikon dënim me burgim të përjetshëm, por ndaj të cilëve ligji ndalon dhënien e një dënimi të tillë?

1.1 A zbatohet procedura e gjykimit të shkurtuar, kur akuza është për një vepër penale që përmban dënimin me burgim të përjetshëm, por është cilësuar e mbetur në tentativë?

1.2 Si do të veprohet në rastin kur, akuza është ngritur për një vepër penale që parashikon dënim me burgim të përjetshëm dhe gjyqtari i seancës paraprake e dërgon në
gjyq për këtë akuzë, por gjykatat në përfundim të gjykimit të zakonshëm i japin faktit një cilësim tjetër juridik, që nuk parashikon dënimin me burgim të përjetshëm?

Kolegji Penal në përfundim të gjykimit të çështjes, në datë 04.07.2024, në seancë gjyqësore, arriti në këto konkluzione njësuese:

A. Në lidhje me çështjen e shtruar për njësim:

1. A zbatohet neni 403, pika 2 i Kodit të Procedurës Penale për personat e akuzuar për një krim që Kodi Penal parashikon dënim me burgim të përjetshëm, por ndaj të cilëve ligji ndalon dhënien e një dënimi të tillë?
Kolegji arrin në përfundimin njësues se:
“Ndalimi i parashikuar nga neni 403, pika 2 i Kodit të Procedurës Penale, zbatohet edhe për subjektet ndaj të cilëve ligji penal ndalon dhënien e dënimit me burgim të
përjetshëm.”

B. Në lidhje me nënçështjen e parë:

1.1 A zbatohet procedura e gjykimit të shkurtuar kur akuza është për një vepër penale që përmban dënimin me burgim të përjetshëm, por është cilësuar e mbetur në
tentativë?
Kolegji arrin në përfundimin njësues se:
“Kur akuza është për një vepër penale që përmban dënimin me burgim të përjetshëm, por është cilësuar e mbetur në tentativë, nuk zbatohet procedura e gjykimit të shkurtuar.”

C. Në lidhje me nënçështjen e dytë:

1.2 Si do të veprohet në rastin kur akuza është ngritur për një vepër penale që parashikon dënim me burgim të përjetshëm dhe gjyqtari i seancës paraprake e dërgon në gjyq për këtë akuzë, por gjykatat në përfundim të gjykimit të zakonshëm i japin faktit një cilësim tjetër juridik, që nuk parashikon dënimin me burgim të përjetshëm?

Kolegji arrin në përfundimin njësues se:
“Nëse gjykatat, në përfundim të gjykimit të zakonshëm, i japin faktit një cilësim tjetër juridik për një vepër penale që nuk parashikon dënimin me burgim të
përjetshëm, duhet të zbatojnë nenin 406/1 të Kodit të Procedurës Penale në lidhje me masën e dënimit edhe nëse akuza është ngritur për një vepër penale që parashikon
dënim me burgim të përjetshëm dhe gjyqtari i seancës paraprake e ka dërguar në gjyq për këtë akuzë”.

Ky përfundim zbatohet, me kusht që të plotësohen elementet e mëposhtme:
a. Të jetë paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar nga i pandehuri në përputhje me parashikimet e paragrafit të parë të nenit 403 të Kodit të Procedurës Penale, e shoqëruar me kërkimin e tij për ndryshimin e cilësimit juridik të faktit, për një vepër penale që nuk parashikon dënim me burgim të përjetshëm.

b. Të çmohet që çështja mund të zgjidhej në gjendjen që janë aktet, duke mbajtur në konsideratë edhe pikën 7 të nenit 405 të Kodit të Procedurës Penale.

D. Në lidhje me zgjidhjen e çështjes konkrete:
Kolegji vlerëson se, vendimi i Gjykatës së Apelit Shkodër është i drejtë dhe i bazuar në ligj. Gjykata e apelit i ka dhënë përgjigje të argumentuar pretendimeve të të
gjykuarit R.M. në lidhje me cilësimin juridik të faktit penal të atribuuar, në respektim të standardit provues ‘përtej çdo dyshimi të arsyeshëm’, në interpretim e
zbatim të drejtë të ligjit penal material e procedural. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenet 438 dhe 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI:

1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 188, datë 09.05.2019 të Gjykatës së Apelit Shkodër.
2. Ky vendim është njësues dhe dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.